Secondary Adv

Himarë, 500 mln lekë për pedonalen Spile–Saraçinko, projekti përfshin edhe një mol

Bashkia Himarë ka hapur tenderin me fond limit 500 milionë lekë pa TVSH për ndërtimin e pedonales Spile–Saraçinko.

Investimi nuk kufizohet vetëm te shëtitorja, por përfshin punime të konsiderueshme infrastrukturore dhe detare, mes tyre edhe ndërtimin e strukturës së një moli.


Financimi i projektit do të mbulohet nga buxheti i Bashkisë Himarë dhe është parashikuar të shtrihet në tre vite, nga 2026 deri në 2028.


Sipas dokumenteve të tenderit, kontrata do të zbatohet me formulën “çelësa në dorë”. Operatori fitues do të ketë përgjegjësinë për hartimin e projektit të detajuar teknik dhe më pas për realizimin e punimeve. Për fazën e projektimit janë parashikuar 4 muaj, ndërsa afati për realizimin e investimit është 20 muaj.


Megjithëse objekti zyrtar i prokurimit është “Ndërtimi i pedonales Spile Saraçinko”, dokumentacioni teknik parashikon një ndërhyrje më të gjerë. Punimet përfshijnë mobilim urban, struktura betoni dhe betonarmeje, parmakë metalikë dhe druri, ndalues guri, struktura strehash dhe parapete, si dhe ndërhyrje në rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve dhe instalimet elektrike.


Në sipërfaqet e pedonales parashikohen shtrime me pllaka mermeri, panele WPVC, beton me agregate në dukje dhe veshje me gur. Projekti përfshin gjithashtu ndërhyrje në infrastrukturën ekzistuese, përfshirë prishjen e shtresave të betonit dhe trotuareve, si dhe zhvendosjen e linjave dhe shtyllave elektrike.


Projekti përfshin edhe ndërtimin e molit

Një pjesë e rëndësishme e investimit lidhet me punimet detare dhe ndërtimin e molit. Dokumentacioni parashikon punime në prani të ujit, shpime me sonda dhe realizimin e pilotave prej betoni.


Për këtë komponent, kompanive pjesëmarrëse u kërkohen edhe licenca për ndërtime detare, punime thellimi në ujë dhe shpime gjeologo-inxhinierike, duke treguar kompleksitetin teknik të ndërhyrjes së parashikuar përgjatë vijës bregdetare.


Kërkohet xhiro të paktën 500 mln lekë dhe 120 punonjës

Tenderi përcakton kërkesa të konsiderueshme financiare dhe teknike për operatorët ekonomikë. Kompanitë duhet të dëshmojnë se në të paktën një nga vitet 2023, 2024 ose 2025 kanë realizuar një xhiro vjetore jo më të vogël se vlera e kontratës, pra të paktën 500 milionë lekë.


Një tjetër kriter lidhet me kapacitetet njerëzore. Operatorët duhet të kenë pasur një numër mesatar prej të paktën 120 punonjësish gjatë tre muajve të fundit përpara hapjes së ofertave.


Afati i fundit për dorëzimin dhe hapjen e ofertave është 4 shtator 2026, ora 09:00.


Burimi: Ekofin


Më të lexuarat